torek, 3. avgust 2010

Fragment nga romani : "Kush e vrau besën?




.............
I leckosur, i ndyrë, me një këmishë që as vetë nuk e
mbante mend kur ishte larë herën e fundit, Hyseni e kishte
vënë strajcën nën kokë, e kishte mbështetur në trungun e
një pishe në park. Ashtu i shtrirë e kishte vënë këmbën
përmbi këmbë dhe pinte nga shishja gjysmëlitërshe gati e
zbrazur e birrës së Nikshiqit.
Shikimin e kishte si të humbur dhe nuk dihej nëse
ishte i dehur, apo ndoshta po e analizonte jetë-boshllëkun
e vet që nga fëmijëria më e hershme që i kujtohej e deri
në këta minuta. E vetmja gjë, që ia freskonte kujtesën,
ishin fëmijët e tij, gëzimi i tij i vetëm që ia lehtësonte të
gjitha mundimet e stërmundimet, nënçmimet,
keqtrajtimet dhe shfrytëzimin deri në skajshmëri, që i
përjetonte muajve dhe viteve të fundit. Në mund të jetë,
hiç më pak të vështirë nuk e kishte kur e merrnin për
punë njerëz të panjohur, me të cilët nuk dinte të merrej
vesh, ngase nuk e flisnin shqipen, ndodhte që në fund as
mos ta paguanin, duke iu kërcënuar edhe me policinë, se
sa nënçmime e fyerje i përjetonte nga disa malësorë, njerëz
të kombit dhe gjuhës së tij, kur i gjeneralizonin akuzat
për ‘hajnitë çi po i bâni ju shqiptar’t e Shqip’nisë. Të tânë ini
‘isoj. Bile ua ka pa këputë Enveri fenë, se âsht çudë çi ia kini lânë
Zojës së Bêkueme Krishtin n’grykë pa ia vjedhë’?! As ai vetë
nuk e kishte kuptuar se punëtorët e tjerë kishin shkuar
diku dhe se ai kishte mbetur i vetëm. Ndoshta do t’i
interesonte më shumë, sikur mos ta kërkonte kush atë
ditë për punë. I kishte të hollat që mjaftonin për ushqim,
fjetje dhe për dy-tri shishe birrë. Mjaft, që ta kalonte atë
ditë.
E ngriti shishen e birrës, sikur t’i binte burisë, me
dëshirë të madhe që ta shterte. Shikimi iu ndal në fytyrën
e një mashkulli korpulent, me flokë pak të shkurtër dhe
të krehur përpjetë, me mustaqe të holla, të cilët sa ia kishin
mbuluar buzën e sipërme të gojës. Llojin e çelësave të
makinës, të cilët malësori i sillte nëpër dorë, Hyseni e
kishte parë vetëm një herë më parë. E pati të qartë se ishin
prej atyre që i kishin vetëm makinat e shtrenjta.
- Mjeshtër, më nevojitet një punëtor për një gjysmë
dite. Je i lirë?
Hyseni nuk e ndaloi pirjen e birrës, sikur nuk iu drejtua
atij. Gllënjkat e birrës kalonin valë-valë nëpër fytin e
rrudhur të tij, që jepte të kuptosh se është shumë më i
vjetër se ç’ishte në të vërtetë. Me të shterur të birrës e
gjuajti shishen nja dy metra nga vetja, u kthye në të djathtë
në bërryl dhe nxori një gogësimë të rëndë, që sikur e
mbushi tërë atë vend me duhmë të birrës. Cani u kthye
pak, si të donte t’i shmangej aromës së birrës, me gishtin
tregues të dorës së djathtë i rregulloi syzet, që ishin ulur
pak më poshtë se ç’duhej.
- Mjeshtër!
- Po, vërtet, jam një prej mjeshtërve më të mirë. Ke
punë për mua?
- Për atë t’u drejtova!
- Jam mjeshtër i pashoq i hajnisë. Vjedh gjithçka që
shoh me sy. Të nevojitem! ... Ashtu, e ashtu ju malësorët
jeni të bindur se ne të Shqipërisë nuk dimë tjetër vetëm
të vjedhim. Ke punë për mua?
Cani qeshi, lëvizi pak kokën dhe i tha që t’i marrë rrobat
e të shkojë me të.
Që nga ajo ditë, nga e cila na ndajnë vitet tashmë,
Hysenin nuk e pa askush në gjendje të tillë. Filloi të punojë
me muaj, gjë që nënkuptonte pagë pak më të vogël, por
ushqim, pastrim dhe fjetje të siguruar, dhe ç’ishte më me
rëndësi - gratis. Nganjëherë çuditej nga i erdhi fati, që
edhe pse punonte punë jo të lehta fizike, së paku pasi e
linte punën, mund të lahej normalisht dhe të veshte rroba
të pastra. Shpesh edhe paketa e duhanit i vinte nga
punëdhënësi.
- Të thashë, mendoj se mund t’ia fillojmë një biznesi
si partnerë, - u kthye si nga një trans Cani.
- Nuk di as të flas me ty. Ti je i shkolluar dhe e di se si
shkon puna. Ti mund të punosh vetëm me ata të rangut
tënd. Ti, kur i shikon fëmijët e mi, fill të kalon nëpër
kokë Migjeni. Di të flasësh e të punosh në nivel më të
lartë.
Si pa dashje, fjalët e tij i përkujtuan Canit planet dhe
aspiratat rinore nga fakulteti, e posaçërisht nga shkolla e
mesme, kur e shihte veten si njeri që do të sigurojë një
vend të dukshëm në letrat shqipe, e ndoshta edhe më gjerë.
Nuk diti pse, por ndjeu një të dridhme që ia përshkoi
krejt kraharorin.
- Lëri ato... Kjo punë nuk kërkon nivel të lartë të
arsimit, madje as edhe farë inteligjencie të tepruar, jo!
Kërkon vetëm vullnet e dëshirë për punë, por edhe besim
të pakufishëm ndërmjet partnerëve. Besoj se të gjitha këto
i kemi. Para së gjithash besimin e pakufishëm.
- Jo, jo nuk ke të drejtë! Edhe ajo biseda jonë e para
disa ditëve mbi Kanunin….
- Aha, të la përshtypje ai citati kur i qëlluari me pushkë,
në agoninë e vet, i ndien duart e vrasësit duke e kthyer
për së mbari dhe njëkohësisht gypin e ftohtë të pushkës
së vet në faqe: “Krejt sipas Kanunit”, thotë i plagosuri
dhe vdes...
...............