nedelja, 19. december 2010

Priftni


Fiq të egër

ushqehen me pluhurin e të parëve

u bëjnë hije rrënojave

s'u ka mbet tjetër!


pranë Kishës së Grudës

ku Atë Antoni meditonte

vetëm shëllingat rrezitën në "rrasa të lëmueme"


Mbi vatrat, ku carani i vetmuar

ëndërron hijen e dorës së gjyshit

që shprush zjarrin

për nder të mikut në shtëpi

kanë mbirë hithat.


Athua kështu krijohen mitet

mbi fshatrat e mallkuara

ku vetëm ndonjë banor

kthehet të ngrohë eshtrat e vdekur

me rrasën e gdhendur të varrit

nga dora e atyre që sot janë vetëm hije.


Apo, amëshimi përpos tej-kohës

përfshinë edhe nën-hapësirën.


Vetëm fiqtë e egër, shëllingat dhe qyqet

që thërrasin njëra tjetrën në kuvend

i japin jetë Priftnit tim.