esejistikë



Dy figura të mëdha  të anatemuara nga sistemi(et) komunist(e) në Ballkan
ose paralelja ndërmjet Anton Harapit dhe Alojzije Stepincit

”Në qe se me u ndigjue ligjevet hyjnore të Atdheut, me edukue rininë kah idealet e nalta të së Vërtetës e me i nxitë kah e Mira; në qe se me vuejtë për popull e me popull dhe me luftue për Fe e Atdhe asht punë e dobët e tradhti, atëbotë jo veç unë por mbarë françiskajtë e Shqipnis jemi të dejë për dekë.”
Atë A. Harapi në gjyq
“ Për të gjitha akuzat që janë paraqitur këtu para meje, përgjigjem se e kam ndërgjegjen e pastër, edhe nëse publiku do të qeshë me këtë. Tani nuk mendoj të mbrohem, apo të apeloj kundër dënimit. Për bindjen time jam i gatshëm ta duroj, jo vetëm përqeshjen, nënçmimin dhe anatemizimin, por – pasi që e kam ndërgjegjen e pastër – jam i gatshëm që në çdo moment edhe të vdes”
Mons. Alojzije Stepinac në gjyq
Me qëllim i mora fjalët e këtyre dy njerëzve të mëdhenj, të dy kombeve të Ballkanit, që të dy të dënuar nga gjyqet komuniste në Ballkan. Me një dallim të dukshëm se fjalët e patër Antonit, që u cekën më sipër, ishin, të thuash, fjalët e fundit para pushkatimit, ndërsa Alojzije Stepinac vdiq vite më vonë, pasi i tha këto fjalë. E akuzat: Ato ishin të ngjashme; bashkëpunimi me fashizmin, tradhti e kombit.
Paralelja ndërmjet këtyre dy figurave markante, njërës të kombit shqiptar, ndërsa tjetrës të atij kroat, është paralele e vetëdijes nacionale të të dy kombeve. Nuk ka nevojë t’i mohohet kontributi njërit apo tjetrit, që kanë dhënë për kombin e vet, e as që kanë nevojë atapër një avokat publik. Më shumë më intereson zbardhja e qëndrimit të elitës kombëtare, para së gjithash asaj intelektuale, e pse jo edhe kishtare, e të dy kombeve ndaj të mëdhenjve të vet.
Fillimisht t’i jap disa paralelizma të dukshme nga biografitë e tyre. Të dy janë meshtarë katolikë, të shkolluar jashtë vendit të vet. Të dy, pas përfundimit të shkollimit të lartë, kthehen në atdhe me dëshirë që t’i kontribuojnë mirëqenies së kombit dhe shtetit të vet. Të dy kundërshtarë të ideologjisë komuniste, prej të cilës edhe dënohen. Që të dyve u sugjerojnë miqtë e tyre që ta braktisin vendin e vet pas ardhjes së komunizmit, por të dy, të bindur se kanë punuar për të mirën e kombit, qëndrojnë aty ku ishin.
Sa për fillim t’i shënoj disa të dhëna biografike për Stepincin, me qëllim që lexuesi të njihet sadopak me to.
Alojzije Stepinac u lind në Krashiq - Kroaci, në vitin 1898. Fillet e tij të jetës e çojnë si vullnetar jugosllav, në vitin 1918 në Selanik e më vonë, si nëntoger i ushtrisë serbe, në njësitë pushtuese në Prishtinë. Studimet e teologjisë i përfundon në Romë e pastaj, në vitet e tridhjeta, bëhet ndihmës i arqipeshkëvit Bauer. Pas vrasjes së mbretit Aleksandar, bashkë me Bauerin, e nënshkruan Memorandumin e Zagrebit për ruajtjen e Jugosllavisë, me propozim për autonomi më të madhe për Kroacinë. Lufta e Dytë Botërore e gjen në detyrën e Arqipeshkëvit të Zagrebit (që nga viti 1937). Në Kroaci në atë kohë krijohet shteti NDH (Nezavisna Država Hrvatska – Shteti i Pavarur Kroat), shtet ky kuisling, i udhëhequr me ideologjinë fashiste. Pikërisht krijimi i këtij shteti dhe raportet që i ka imzoti Stepinac me të, e bëjnë figurën e tij, thënë më së lehti, problematike. Pas luftës bie nën mëshirën e autoriteteve komuniste jugosllave dhe më 11. 10. 1946 dënohet me 16 vjet burg. Pas pesë vjetësh të punës së detyrueshme e internojnë në vendlindjen e tij Krashiq, ku e pret edhe titullin e kardinalit, më 12. 01. 1953. Aty edhe vdes në vitin 1960, nën kujdesin e famullitarit vendor dhe motrave të nderit, që i kishte krejt kohën pranë.
Sarkofagu i Alojzije Stepincit, punim i skulptorit akademik Hrvoje Lubiqit, gjendet tërë kohën në Katedralen e Zagrebit. Nën te gjendet edhe varreza e ipeshkëve dhe argjipeshkëve të Zagrebit.
... dhe disa të dhëna biografike për Anton Harapin:
U lind më 5 janar 1888 në një familje të peshkatarit. I pagëzuar Gaspër, që në moshë të re hyri në Kolegjin e Jezuitëve dhe më pas në Kolegjin Françeskan në Shkodër.
Suksesi i shkëlqyeshëm i mundëson vijimin e studimeve të larta teologjike në disa qytete të rëndësishme të Austrisë: në Villach të Tirolit, Salzburg dhe Shvarc, që i filloi më 1907. Specializon filozofinë në Vjenë. Më 1910 kthehet në Shqipëri dhe shugurohet meshtar, duke qenë deri në flijim besnik i veladonit të Shën Françeskut dhe i popullit që e donte dhe e respektonte. Punoi si mësues në Kolegjin e Fretënve, ku kishte mësuar si i vogël. Gjatë tetorit të vitit 1912 deri në prill 1913 (vite të trazirave të mëdha të Luftës së Parë Botërore), i përkushtohet shërbesave fetare në kishën Zoja Rruzare, në Arrën e Madhe të Shkodrës, ku ishte edhe Kuvendi Françeskan. Viti 1916, për banorët malësorë të Dukagjinit, ishte një vit i vështirë, vit i sëmundjes epidemike të kolerës, ku meshtari karizmatik, me shpirt të pastër fisniku, u gjend si shërbëtor pranë tyre, për t’i ngushëlluar dhe ndihmuar. Më vonë (1918 -1919) ishte famullitar i Grudës (Malësi e Madhe). Ishte një ndër bashkëthemeluesit e gazetës “Ora e Maleve”. Më 1924, emërohet drejtor i “Illyricum-it” dhe i revistes “Hylli i Dritës”, ndërsa në vitet 1941- 1943 është Provincial i françeskanëve. Me 13 shtator të vitit 1943, u emërua anëtar i Këshillit të Lartë të Regjencës. Me vendim të Gjykatës speciale në Tiranë, në fillim të shkurtit, Atë Antoni shpallet “kriminel lufte dhe armik i popullit, sabotator i pushtetit.” Dënohet me vdekje dhe ekzekutohet në Tiranë, me 14 shkurt 1946.
Nuk dihet se ku gjenden eshtrat e tij.
Që të dy e kishin prijësin e njëjtë shpirtëror në hierarkinë kishtare, Papën Pio XII (1939-1958) i njohur me qëndrimin e vet se “ndërmjet katolikëve dhe komunistëve nuk guxon të ketë farë bashkëpunimi”
Për lëvizjen komuniste, në ato vite të luftës mjaft të gjallë në Jugosllavi, ndërsa në Shqipëri si sateliten e PKJ, e dobët në aspektin organizativ, por që i tejkaloi mësimdhënësit e vet me mizoritë ndaj kombit, të udhëhequr nga Enver Hoxha, që të dy shprehen:
Stepinac:
“ Me komunistët nuk mund të ketë askurrë kurrfarë bashkëpunimi përderisa ata të heqin dorë nga ideologjia dhe krimet e tyre dhe në atë mënyrë të mos jenë ata çka janë... Ne nuk e kemi harruar përvojën e Spanjës katolike...”
Nën udhëheqjen e tij, më 22 shtator të vitit 1945, ipeshkëvit kroatë publikojnë Letrën baritore mbi dhunën e pushtetit komunist.
Anton Harapi:
“Edhe komunistave due t’ua thom nji fjalë, por kjartë e shkurt. Unë jam i bindun se pak janë ata Shqiptar, të cilët vërte e kuptojnë doktrinën komuniste, por, tashma të gjithë po e shohin dhe po e njohin organizatën dhe veprën komuniste në Shqipní. Kjo asht vertetë, e kjo don me thanë se gadi të gjithë komunistat shqiptar veprojnë me krye në thesë pa dijtë shka bajnë dhe për shka veprojnë. Por, po thonë se e kanë për Shqipní, e vetëm për Shqipní. Unë due t’u besoj, por ky dallim midis doktrines komuniste e vepres komuniste me formen kombëtare – sikurse i kam ndigjue unë vetë tue dishmue organizatoret komunista – mue më ban me dyshue për sinçeritetin e kësaj rryme shqiptare: pse, vallë, komunistat veshen e ngjeshen me zellin atdhetar, kurse atyne mbi të gjitha u intereson doktrina dhe jo atdheu? Masat terroristike, mandej, vllavrasja, lidhnija e ngushtë deri në dependencë të plotë prej dorës së huej, dhe përdorimi i çdo mjeti për qellim nuk i lanë vend dyshimit. More, me kobure në gjoks nuk bahet kush vlla, as shoq, por skllav, ja mizuer apo hypokrit. Gjithmonë tue rrenue nuk ndertohet”.
Nga këto qëndrimet e para që i ballafaqova shihet se Stepinci e ka vokabularin e vet shumë më të ashpër, gjë që sigurisht është pasojë e karakterit të tij (por padyshim edhe “njëmëndësinë” politike kroate të kohës), ndërsa Frati ynë vazhdon me bindjen se mund të përmirësohet edhe e papërmirësueshmja.
Vërtetë se kombi kroat është fetarisht unik, katolik, por një vijë të karakterit që dëshiroj ta ballafaqoj është toleranca fetare e këtyre dy njerëzve të mëdhenj. Ndërsa Stepinci u “ndihmon” të tjerëve (kryesisht serbëve dhe hebrenjve) për t’i shpëtuar nga holokausti i NDH-së, ashtu që e bën konvertimin e tyre në katolikë, i bindur se më vonë do te mbesin në atë fe vetëm ata që e bënë konvertimin me bindje, e jo edhe ata për hir të interesit, ndonëse ky veprim i tij shpëtoi me qindra jetë nga ekzekutimi i sigurt fashist, Harapin e njohim si njeri, i cili shqiptarët e vet, qofshin katolikë, myslimanë apo ortodoksë, i konsideron vëllezër dhe as që i bie ndërmend t’ua imponojë besimin e vet katolik. Madje ai deklaron se “Shpirti i shqiptarit, me gjithë besimet e ndryshme, e ndien fuqishëm se nji i njâjti Zot i vërtetë âsht Zoti i muhamedanëve, Zoti i ortodoksëve e Zoti i katolikëve”. E pra, nëse ne jemi të bijtë e Zotit- vazhdon ai- ne jemi vëllezër, mbetet që si vëllezër të nderojmë reciprokisht bindjet fetare të njëri-tjetrit.
Ajo që u merret si më problematikja nga sulmuesit e të dyve është pjesëmarrja aktive në organizimin shtetëror, për Stepincin NDH, kurse për Patër Antonin, Regjenca. Por, t’i shohim qëndrimet e të dyve në lidhje me angazhimin. Stepinci deklarohet për këtë vetëm gjatë gjyqit, ndërsa Harapi që në momentin e marrjes së detyrës. Edhe vetë koha e deklarimit të tyre, e të mos flasim për vetë deklarimin, që po e japim më poshtë, na hedh një dritë të ndryshme në vet personalitetin e tyre.
Stepinac:
“Po më akuzoni si armik të shtetit dhe pushtetit popullor. Më thoni, ju lutem, cili ishte pushteti për mua në vitin 1941? Athua ishte pushtet puçist i Simonoviqit në Beograd, apo, siç e quani ju, qeveria tradhtare në Londër, apo ajo në Jeruzalem, apo juaja në pyll, apo kjo në Zagreb? Natyrisht, edhe në vitin 1943 dhe 1944, a ishte qeveria e Londrës apo ajo në pyll? Ju për mua jeni pushtet që nga 8 maji i vitit 1945. Athua kam mund tu dëgjoj edhe juve në pyll edhe këta në Zagreb? A është ndopak e mundur që të shërbehen dy zotërinj? Kjo nuk është sipas moralit katolik, as sipas të drejtës ndërkombëtare, e as sipas të drejtës së përgjithshme njerëzore. Nuk kemi mundur ta anashkalojmë pushtetin, qoftë ai edhe ustash, ai ishte këtu. Ju keni të drejtë të më pyetni dhe të më merrni në përgjegjësi vetëm prej 8 majit 1945.”
Patër Anton Harapi:
“Më rrenë mendja se nuk ka zog shqiptari që të mendojë se unë e mora këtë barrë për kulltuk, për interesë a për ndonji intrigë. Mundet veç me drashtë ndokush mos qe ndonji maní e emja që më shtyni deri këtu. Edhe unë po u a vërtetoj fjalën dhe po u thom se po: manija e Shqipnis, po, qe ajo që më vuni dilemën: a me anarkista për të bâ gjak, ase me hjekun dorë prej çashtjes kombtare. Dhe mbasi shpirti nuk m’a tha të bâj as njenën, as tjetrën, qeshë i shtërnguem të zgjedhi njenën dysh : a të baj nji marrí tue e pranue këtë zyrë, ase të tregoj nji dobësi tue u largue (kursivi im N.B.). Vendova mâ mirë të bâj nji marri: ase – sikurse thonë ata shqiptarë që duen të ruhen të pastër – desha të komprometohem.”
Patër Antoni është i vetëdijshëm për marrinë e pranimit të kolltukut, është i vetëdijshëm se do të komprometohet, por, prapëseprapë e pranon ngase “nuk mujta t’a shoh Shqipnin n’anarki. Në këtë kohë dhe ndër këto rrethana, për né shqiptarët anarkija âsht nji turp dhe nji delikt: po, turp âsht të ngatrrohemi shoq me shoq dhe vetë të krijojmë Babylonin shqiptare, pa qenë të zotët t’i a gjejmë fijen lamshit; delikt âsht në këtë moment kaq kritik për botën mbarë të vejmë për ideal vllavrasjen, përmbysjen e katundevet, humbjen e gjâs dhe shkatrrimin e familjevet. Kësaj i thonë rrokoll më rrokoll! Pra, m’u dhimbt populli e m’u dhimbt Shqipnija”.
Edhe vetëm një shikim në rezultatet e dy “qeverive” që u shërbejnë të dy të mëdhenjtë.
Shteti i Pavarur Kroat (NDH) renditet aleat aktiv i Reichut të tretë që nga formimi i tij më 10 prill 1941. Dy ditë pas vendosjes së NDH-së Stepinci e viziton Sllavko Kvaternikun(nënkryetar, ministër i mbrojtjes), që t’ia urojë krijimin e shtetit të ri, ndërsa më 16 prill atë e pranon edhe Ante Paveliqi (kryetar shtetit). Që të dy vizitat u bënë para nënshkrimit të kapitullimit të Jugosllavisë (17 prill), kështu që Stepinci e the betimin për besnikërinë ndaj mbretit.
Në anën tjetër Harapi angazhohet në Regjencë atëherë kur në Shqipëri nuk ka organizim shtetëror, pasi që organizimi i përparshëm shkatërrohet me kapitullimin e Italisë.
NDH si pjesë, pothuaj, organike e Reichut të tretë e miraton Ligjin racist. Ligj ky që rezulton me kampet e përqendrimit, para së gjithash me Jasenovcin. Ndonëse numrat zyrtarë të viktimave në këtë kamp ndryshojnë varësisht nga burimet (burimet serbe flasin për 700.000, ndërsa burimet e sotme kroate flasin për afro 300.000 të vrarë në Jasenovac), prapëseprapë mbeten njollë e zezë në historinë e kombit kroat.
Në disa letra të Stepincit, që ia drejton Andrija Artukoviqit, ministrit të brendshëm të NDH-së, ai kërkon prej tij të ketë kujdes ndaj përfaqësuesve të “racës hebreje” të konvertuar në katolicizëm (letra e 23. prillit 1941, sipas Jure Krishto), ndërsa në letrën e 30 majit 1941, Stepinci e shpjegon më hollësisht qëndrimin e vet: “pikërisht katolicizmi ishte ai faktori koheziv dhe asimilues, që lidhi pjesët e posaçme të kombit tonë në një tërësi dhe që i nacionalizoi elementet e shumta të jashtme ... ndonëse nuk janë arianë, ata (hebrenjtë e konvertuar) duhet mbrojtur si katolikët, pasi që tregojnë “cilësi pozitive ariane”.
Të shpëtosh një jetë njeriu është vepër shumë e madhe, ndërsa Stepinci ka shpëtuar me qindra jetë të çifutëve në këtë mënyrë. Por, sidoqoftë, qëndrimi i “butë” i tij ndaj një krimi aq të shëmtuar është “paksa” i papranueshëm. Edhe përkundër kësaj, ai dy herë propozohet, megjithëse nuk e merr titullin, “I drejtë ndërmjet kombeve”. Bile propozimin e parë e bën Amiel Shomrony, në vitin 1970, që ishte në vitet 1941-1943 sekretar i mbi-rabinit të Zagrebit Mirosllav Shallom Freiberger-it dhe personalisht ndërmjetës në mes dy udhëheqësve fetarë.
Në anën tjetër Regjenca shqiptare, edhe përkundër faktit të bashkëpunimit me Reichun e tretë, ka marrëveshjen me të për një shtet të pavarur shqiptar (pavarësia e shtetit shqiptar – apo më mirë edhe vetë ekzistenca e tij - në atë kohë ishte vënë në pikëpyetje). Madje “... Reich-u gjerman ka njohur Komitetin Kombëtar të sapokrijuar si qeveri të shtetit të pavarur e mik të Shqipërisë. Me urdhër të Führer-it krijohet posti i “Gjeneralit Gjerman të Plotfuqishëm në Shqipëri” për të përfaqësuar Wehrmacht-in pranë Qeverisë Shqiptare. Krijimi i një administrate ushtarake gjermane në territorin e Shtetit Shqiptar për pasoje nuk parashikohet”.
(kol. Sandër Lleshi: Kujtimet e rralla të të plotfuqishmit të Ministrisë së Jashtme naziste Hermann Neubacher).
Regjenca nuk i miratoi ligjet raciste të kohës, kështu që kombi shqiptar, gjegjësisht Shqipëria e udhëhequr nga kjo Regjencë, sot mund të lavdërohet me mbrojtjen maksimale të elementit hebre. Më se 72.000 çifutë shpëtuan të paprekur nga Shqipëria, duke e futur atë në numrin ekstremisht të vogël (vetëm dy shtete evropiane: krahas Shqipërisë vetëm edhe Danimarka) që nuk e dorëzuan asnjë çifut në duart e nazistëve. Athua se ka farë kontributi këtu Frati ynë?
Është më së paku simptomatike heshtja e këtij fakt nga pushteti komunist për pesëdhjetë vjet. Para së gjithash, nëse kemi parasysh përfitimet që do t’i sillte ky fakt reputacionit të shtetit shqiptar në botën përparimtare?
T’u kthehemi edhe një herë kujtimeve të Neubacher-it lidhur me Patër Antonin. Në kujtimet e tij përshkruan figura të shquara nga Ballkani, që bashkëpunojnë me Reichun dhe organet sekrete të tij, mirëpo simpatia e tij nuk është gjithmonë në përpjesëtim me gatishmërinë e tyre për bashkëpunim:
“ Anton Harapi tregon se si natën e kalueme tre burra të njohun të lëvizjes ilegale komuniste kishin shkue tek ai në kuvend për me zhvillue një debat politik me të.
- Partia Komuniste, - kishin thanë ata, - nuk luftonte kundër kishës. Komunizmi asht në një fazë të re zhvillimi, ai lufton për lirinë kombëtare dhe për një demokraci të vërtetë. Çka kërkon i pari i françeskajve Pater Antoni në një Këshill Regjence, i cili bashkëpunon me okupatorët fashistë?
Një oficer gjerman të policisë së shtetit, që ishte i pranishëm, e kapën ethet e gjuetisë:
- Sa interesante Pater Anton! A do t’mundeni me na thanë së kush ishin ata tre burra?
Fytyra e tij prej asketi si e gdhendun në dru e me një hundë të madhe u nxi prej trazimit:
- Mos harroni ju, që unë jam shqiptar!”
(kol. Sandër Lleshi: ibidem)
Sa pësuan fizikisht komunistët shqiptarë nga kjo qeveri kuislinge?
Genc Hoti në artikullin Mbi aktet e formimit te PKSh (fakte dhe dokumenta të botuara vetëm njëherë dhe të tjetërsuara shumë herë) shkruan: “numri i dëshmorëve të rënë nga ana e komunistëve përgjatë Luftës nacional-çlirimtare ishte më pak se 2500 (saktë 2194 - më gjeni dëshmorin e 2195) dhe nacionalistët i kishin dhënë luftës 25500 heronj duke qenë ata luftëtarët e vërtetë të asaj lufte ...”
(www.logoreci.com/abc2/mt-search.cgi?tag=PKSh&blog_id=3&IncludeBlogs=3)
Në këtë paralelë ndërmjet NDH, në të cilën vepronte Stepinci dhe Regjencës, anëtar i së cilës ishte Patër Antoni, nuk dua ta minimizoj (me numër) flijimin e antifashistëve shqiptarë në luftë kundër okupatorit, por vetë faktet tregojnë ato që propaganda dëshiron gjithmonë t’ia imponojë vetëdijes kombëtare. E propaganda komuniste shqiptare për 50 vjet, duhet ta pranojmë, ishte tepër produktive.
Edhe një fakt duhet theksuar në këtë paralele: Në hierarkinë e Kishës, me histori dymijëvjeçare, është nonsens edhe të mendohet se një prijës fetar, qoftë edhe i rangut të argjipeshkëvit (si rasti i Stepincit) apo i Provincialit françeskan (rasti i patër Antonit) mund të ketë liri të vepruari në drejtim jashtëkishtar pa lejen e posaçme të eprorëve të tyre. Dihet mirëfilli në rastin e Harapit se pranimi i postit të tillë bëhet vetëm pasi që fitohet leja speciale nga papati. Madje, parimi i rotacionit në udhëheqje të Regjencës nuk u realizua pikërisht për shkakun se Patër Antoni nuk pranoi ta udhëheqë atë.
Prezenca e meshtarëve shqiptarë në jetën politike të shtetit?
Duhet pranuar se historia e shtetit të pavarur shqiptar është ngushtë e lidhur me pjesëmarrjen e meshtarëve katolikë në jetën politike, shoqërore e të mos flasim për jetën kulturore. Ata mbulojnë vendet e larta në hierarkinë shtetërore, që nga deputetë e deri në hartues të kushtetutës. Ata janë në delegacione shtetërore në konferencë të paqes, e deri kreatorë të alfabetit të gjuhës shqipe. Janë fakte të pamohueshme këto. Pra roli i meshtarëve katolikë ishte tepër i madh si në krijimin, ashtu edhe në promovimin ndërkombëtar të Shqipërisë. Kleri myslimanë shqiptarë, sidoqoftë, e kishte mbi supet e veta anatemën e pushtimin pesëshekullorë osman, ndërsa pas dështimit të Revolucionit të Qershorit, (1924) të udhëhequr nga prijësi ortodoks Fan Stilian Noli, meshtarët ortodoksë vepronin më shumë jashtë atdheut.
Është interesant fakti se të dy njerëzit tanë të mëdhenj, në anën tjetër, si prokurorë, si gjykatës që ndajnë të drejtën, e kanë komunizmin, njëri atë kroat, e tjetri atë shqiptar, por në fakt, më duket se si komunistët kroatë, ashtu edhe ata shqiptarë, në rastin e tyre janë vetëm vegla në duart e asaj që quhej komunizëm jugosllav, apo më saktësisht ai serb.
Nën pretekstin e ruajtjes së shtetit dhe rendit shoqëror ata shohin gjithkund armikun, e në veçanti e “gjejnë” në klerin katolik. Mirëpo, është interesant se ata janë shumë më pak të ashpër ndaj prijësve të tyre fetarë, ortodoksë, të cilët ishin krah i kolaboracionistëve fashistë.
Eliminimi i klerit katolik shqiptar ishte “domosdoshmëri” e qëndrimit në pushtet të komunistëve shqiptarë. Këtë e dinin edhe nga tutorët e tyre, jugosllavët. Një njohës i mirë i jetës së Patër Antonit thotë se edhe sikur ai të mos kishte qenë anëtarë i Regjencës, atë do ta likuidonin si Provincial të françeskanëve, apo si intelektual të jashtëzakonshëm. Mirëpo, një fakt më tregon shumë më shumë shkakun e likuidimit të tij dhe të bashkëpunëtorëve të tij të Regjencës, Lef Nosit dhe Maliq Bushatit. Për mendimin tim ishte ky aprovimi dhe nënshkrimi i Statutit të Lidhjes së II të Prizrenit, më 14 mars 1944. Regjenca e urdhëroi “zbatimin e tij”ndërsa Dekretin, në emër të saj, e nënshkruan Mehdi Frashëri (kryetar), Patër Anton Harapi dhe Lef Nosi (anëtarë) si dhe Rexhep Mitrovica (kryeministër).
Ishte ajo që nuk mund ta gëlltiste PKJ, ishte pra bashkimi i të gjitha trojeve shqiptare, që e kishte si pikë kryesore Lidhja e Dytë e Prizrenit. Ishte ajo që, sipas shumë studiuesve, është edhe shkaku dhe kushti i mbetjes së Enver Hoxhës në pushtet – Kosova.
Andaj, nuk çudit rasti që e përshkruan Prenkë Gruda në Ditarin e tij, që ka si burim përkthyesen nga ai takim:
”Mbas vrasjes së Patër Anton Harapit, ambasadori jugosllav ka shkue për vizitë zyrtare te Enver Hoxha. Në bisedë e sipër, Enveri asht mburrë për zhdukjen e Harapit. Ambasadori i ka thanë se i gjithë kleri katolik shqiptar asht Patër Antona, prandej për mbarëvajtjen e partive e të qeverive tona motra, kam porosi të shpejtë rezervate prej Beogradit, qi me çdo mjet, duhet me i likuidue të gjithë sa ma parë. Ata janë të lidhun me Vatikanin, me atë çerdhe të spiunazhit të kapitalistave imperialista.”
Një paralele e mirë ndërmjet të dyve është edhe qëndrimi i tyre, që edhe duke hetuar rrezikun për jetë, të mos e braktisin atdheun e vet. Në rastin e Stepincit atë e lusin dy herë që ta braktisë vendin. Duke e parë fundin e qeverisjes së tij, me partizanë në prag të Zagrebit, Paveliqi i drejtohet Stepincit si udhëheqësit të Kishës katolike me autoritet të jashtëzakonshëm dhe e lut ose ta udhëheqë qeverinë e përkohshme, ose ta braktisë vendin. Stepinci këto i refuzon me fjalët: Se kujt do t’ia dorëzoni pushtetin është çështje Juaja. Unë nuk përzihem në politikë, por do të mbes këtu çka do që të bëhet.
Dhe herën tjetër, lutja vjen nga ana e kundërt. Më 29 nëntor 1952, shih rastin, pikërisht në Ditën e Republikës së Jugosllavisë, Vatikani shpall listën e kardinalëve të rinj, ku ishte edhe emri i Stepincit. Pushteti i ofron që ta braktisë Kroacinë, por Stepinci e refuzon këtë. Siç thash më sipër, në atë kohë ky ishte në internim, gjegjësisht në burgun shtëpiak.
Në rastin e Patër Antonit lutja që ta braktisë vendin i vjen nga Neubacher-i dhe miqtë tjerë të tij. Madje, Neubacheri ia vë në dispozicion aeroplanin e tij special. Patër Antoni e refuzon këtë me fjalët:
”Kam punue për Shqipni e ballafaqas. Nuk pres shpërblim, por as dënimi nuk ka pse më pret. Bashkatdhetarët e dijnë se kurrë s’i tradhëtova. Me ta vuejta, për ta punova, me ta qindrova. Me ta edhe do të vdes.”.
Por t’i kthehemi edhe një here paraleles sonë: kësaj here përkrye testamentit të të dyve. Në fakt, përpos veprës së vet Patër Antoni nuk kishte kohë ta shkruante testamentin, por fjalët e fundit të tij, pasi i bekoi vrasësit e vet, dhe i fali ata, ishin:
“Eshtënt e mi, n’tokën e t’parve, t’jen testamendi ëm” dhe “Rrnoftë Shqipnia edhe pa mua”.
Ndërsa Stepinci:
“... Nëse kujtdo i kam bërë farë të keqeje, sinqerisht e lus që të më falë, ndërsa të gjithë atyre që më kanë bërë të këqija mua, ua fali nga zemra.”
Që të dy, si njerëz tepër të ngritur e vijues të mirë të besimit që i përkasin, e përdorin atë thënien profetike: “Fali o Zot, se nuk dinë ç’bëjnë”, ndonëse edhe këtu në kushte “paksa” të ndryshme. Patër Antoni, duke ruajtur veladonin e vet që të mos i njolloset në balten e vendit të ekzekutimit se “…Atje tek shkoj biri im, dua të shkoj i panjollë, siç jam kenë tanë jetën”, ndërsa Stepinci në momentet e qetësisë shpirtërore dhe të meditimit të vet në lidhje me takimin “e afërt” me Atin.
Dhe për fund, ndonëse sipas rëndësisë do të renditej shumë më lartë, po e vendos paralelen që flet më shumë për ne, sesa për vetë personat e studimit.
A mund të akuzohen personalisht prokurori dhe gjykatësi i Patër Antonit, kur ata ishin vetëm vegël në dhëmbëzoret e sistemit, që si modus vivendi të vet e kishte urrejtjen ndaj gjithsejtë përparimtare shqiptare? A nuk flet mjaft për këtë vet fakti se si prokurori - gjenerali Bedri Spahiu, ashtu edhe gjykatësi i tij - Koçi Xoxe, patën fatin e njëjtë? Me siguri se fat të njëjtë patën edhe shumë sish që mbushën sallën e gjyqit dhe në ekstazën e “hakmarrjes” kërkuan vdekjen e “tradhtarëve të kombit”.
Ata kishin fituar urdhrin e prerë, që në emër të padronit jugosllav ua kishte përcjellë udhëheqësi i pagabueshëm i tyre – Enveri.
Nuk mund t’i “akuzoj” as bashkëvëllezërit e patër Antonit, klerin katolik shqiptar që nuk e organizoi popullin për mbrojtje, kur dihet se çfarë fati patën të gjithë ata, bashkë me “grigjën” e tyre. Të mos i përsëritim numrat rrëqethës të klerikëve të vrarë katolikë nga dora e zezë e komunistëve të kuqë. (Më duket se vetëm kjo simbolikë dora e zezë e komunistëve të kuqë i lidh këta me ngjyrat nacionale shqiptare).
Por, në anën tjetër, a nuk ishin komunistë edhe ata prokurorët dhe gjykatësit e Stepincit, që qenë “më të butë” ndaj udhëheqësit shpirtëror të popullit të tyre, e dënuan atë me “vetëm” 16 vjet burg.
U kujtohem debateve dhe polemikave të shumta të viteve tetëdhjeta rreth figurës së “shenjtit, a kriminelit kroat”, kardinalit Alojzije Stepinac. Ato kryesisht ishin të ndara në aspektin kombëtar e jo ideologjik. Intelektualët serbë e akuzonin atë si kriminel të luftës, ndërsa kroatët e çonin në qiell si shenjtin e vet. Të rrallë ishin kroatët, qofshin edhe komunistët më të përbetuar që deklaroheshin kundër tij. Në rastin më të dobët ata heshtnin apo mbroheshin me frazën “t’ia lëmë historisë ta përcaktojë vendin e merituar”, por në të njëjtën kohë sarkofagu i vendosur në Katedralen e Zagrebit ishte bërë vend i pelegrinazhit për të gjithë kroatët e njëmendët.
Në anën tjetër, pak ishin shqiptarët, që qoftë edhe e merrnin nëpër gojë emrin e patër Antonit. Personalisht pata fatin, që në familjen time të ruhet kujtimi mbi Fratin e Grudës, bile falë një fakti, që sot e marr gati si banal. Titulli i romanit Andrra e Prëtashit lidhej me emrin e stërgjyshit tim Prëtash Cukës. Leximi i këtij romani nga unë lidhet me një anekdotë. Përgjigja në pyetjen e profesorit tim të shqipes në klasën e tretë të gjimnazit se e kisha lexuar Andrrën e Prëtashit e qiti aq shumë taktit mbrojtësin e pastërtisë së trurit tonë sa që nuk e kisha besuar se kjo mund të ndodhë. E unë me atë naivitetin e gjimnazistit, të cilin sot e vlerësoj si moskuptim total të veprës së lexuar, iu përgjigja: “keni inat, që shkruan për stërgjyshin tim, e jo tuajin!”
Duke e njohur situatën në periudhën që tashmë quhet periudhë komuniste (lexo antikombëtare!) e të cilën më së miri e pasqyron një fjali e vetme e Vlado Gotovac, intelektualit të anatemuar kroat, e thënë në njërën nga orët e shumta letrare proteste në mbajtura në Lublanë në vitin 1989, “Në Kroaci as kamerieri nuk është më kroat”, e në veçanti periudhën komuniste shqiptare, nuk më çudit heshtja gati pesëdhjetëvjeçare për Patër Anton Harapin, e aq më pak anatemimi i tij në çdo rast kur është folur për të.
Nuk mund ta pranoj faktin që në periudhën postkomuniste emri i tij ende shihet vetëm në kontekstin e asaj fotografie, në të cilën ai ka takuar gjeneralin gjerman Fitstum, e që është fakt i mjaftueshëm për “vërtetimin e tradhtisë së tij”, por nuk kujtohet ajo deklarata e tij: “Jam fetar, por e dua dhe e çmoj krejt natyrën njerëzore; jam fetar por kam tagre dhe detyra shoqërore; jam fetar e nuk rrnoj as në erë, as në re, por në këtë tokë që quhet Shqipni.“
Ndoshta as ajo nuk duhet të çudisë, ngase autorë të historisë zyrtare të shtetit shqiptar janë ende ata “akademikë” që shërbyen për trillimin e realitetit ‘kombëtar’, me qëllim të ruajtjes së figurës së panjollë të udhëheqësit të madh – të Enverit. Apo në rastin më të mirë pinjollët e tyre ‘shkencëtarë’ të përgatitur duke ua, ta përdori terminologjinë kompjuterike, formatuar memorien nga përmbajtja e botimeve të vjetra, e duke ua ngarkuar me përmbajtje të botimeve të reja të veprave të Enverit. Respekt disa përjashtimeve!
Më shumë më pengon qëndrimi i inteligjencës, në veçanti asaj me proveniencë katolike dhe klerit katolik shqiptar, të cilët nuk mundën ta gjejnë një fuqi t’i kundërshtohen mendësisë së historisë zyrtare shqiptare dhe e lanë emrin e tij pa e futur në 40 martirët katolikë.
Të përkujtojmë se Papa Gjon Pali II e shpalli Alojzije Stepincin të lumtur (në Marija Bistrica - Kroaci, më 3 tetor të vitit 1998) dhe se sipas rregullave të Kishës, vazhdon procesi i të shpallurit shenjt të tij.
Dhe në kohë, kur shteti shqiptar ende nuk i ka gjetur eshtrat e Patër Antonit, shteti kroat pas pavarësimit të tij e ka bërë obduksionin e eshtrave të Stepincit dhe ka vërtetuar se ato përmbajnë disa kombinime të dëmshme radioaktive, në bazë të së cilave supozohet se pushteti komunist e ka ‘helmuar’ atë në mënyrë permanente gjatë kohës së burgimit të tij
Në fund nuk më mbetet tjetër, por t’i kujtoj, me këtë rast fjalët që Atë Matí Prendushi i tha pas dënimit të Atë Gjon Shllakut me shokë: “Të lumtë o serbian se sot ia dole me ia paraqitë të tânë botës se shqyptari, me bisht ose pa bisht, âsht nji egërsínë e vërtetë!”
Nikollë Berishaj
Tuz, qershor, 2009