nedelja, 27. april 2014

S'më intereson, Mark Ardent



Mark Ardent

S'më intereson

nga sllovenishtja Nikollë Berishaj


S’më intereson se si mbijeton.
Dua ta di për çka përgjërohesh dhe
a ke guxim të ëndërrosh për plotësimin e
lektisjes së zemrës sate.

S’më intereson sa je i moshuar.

Dua ta di a do të rrezikosh të quajnë
të marrë për dashurinë, ëndrrat,
aventurën, që do të thotë të jetosh.

S’më intereson për planetët që janë
në katror me hënën tënde.

Dua ta di a e ke prekur bërthamën e sëmundjes sate
a të kanë hapur përjetimet e tradhtisë
apo je tkurrur dhe mbyllur
nga frika e vuajtjes sate të re.

Dua ta di a di të shoqërohesh me dhimbjen,
timen, apo tënden, pa dëshirë ta fshehësh,
të iksh apo ta zhbësh atë.

Dua ta di, a di të jetosh me gëzimin, 
timin apo tëndin;
a di të vallëzosh i trazuar dhe të lejosh
të të përmbyt ngazëllimi deri në majat e gishtërinjve të duarve dhe këmbëve

pa na përkujtuar se duhet të jemi të kujdesshëm dhe realistë,
apo të jemi të vetëdijshëm për kufizimin e ekzistencës njerëzore.

S’më intereson a është i vërtetë tregimi që e tregon.


Dua ta di a mund ta zhgënjesh dikë,
që t’i mbetsh besnik vetes;
apo ta durosh akuzën e tradhtisë;
a mund ta ruash besnikërinë ndaj shpirtit tënd.

Dua ta di a di të jesh besnik, pra
ta meritosh besimin.
Dua ta di, a di ta shifsh të bukurën,
ndonëse nuk është gjithmonë e mrekullueshme,
dhe a di ta ngopsh jetën tënde me prezencën e Zotit.

Dua ta di, a di të jetosh me mossuksesin,
tëndin dhe timin,
dhe, edhe përkundër tij të shkelsh në bregun e liqenit
dhe t’i gërvallesh hënës së argjendtë të Very Happyt!

S’më intereson se ku jeton dhe sa para ke.
Dua ta di a mund të zgjohesh në natën
përplot hidhërim dhe dëshpërim
i thyer dhe i thërrmuar plotësisht
dhe të bësh gjithçka për fëmijët.

S’më intereson kush je dhe si u gjende këtu.
Dua ta di a do të më mbështetsh në mes të zjarrit
e mos të tërhiqesh.

S’më intereson se ku dhe çka dhe te kush ke mësuar.

Dua ta di ç’të mbështet nga brendësia jote
kur bien të gjitha tjerat.

Dua ta di, a di të jesh me vetveten;
dhe, a kënaqesh vërtetë me shoqërinë
që e zgjedh në çastet e zbrazëtirës.


Ftesë, sipas frymëzimit të Oriahut, Ëndërruesit malor të kryekreut indian, maj 1994